Secondary Adv

Nuk ka qeveri të re, Kuvendi rrëzon Kurtin, Kosova drejt zgjedhjeve të tjera

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për formimin e qeverisë së re të Kosovës, duke marrë vetëm 56 vota pro në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Kuvendi refuzon qeverinë e re

Gjatë paraqitjes së kabinetit të propozuar, Kurti kërkoi mbështetjen e deputetëve, duke i bërë thirrje të votojnë në interes të shtetit dhe jo të partive. Ai theksoi se nëse oferta për bashkëqeverisje do të ishte pranuar, Kosova do të kishte sot një qeveri koalicioni dhe shumicën e nevojshme për zgjedhjen e presidentit në muajt e ardhshëm.

 

“Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje, edhe pse vota e qytetarit e kërkonte këtë. Sot ndodhemi para një situate ku qeveria propozohet jo si produkt i një marrëveshjeje politike, por si akt shërbimi ndaj vendit,” – deklaroi Kurti.

 

Rreziku për krizë buxhetore dhe zgjedhje të reja

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje paralajmëroi se në mungesë të një qeverie të re, Kosova mund të përballet me zgjedhje të parakohshme dhe me bllokim të funksioneve shtetërore. Ai paralajmëroi rrezikun e mosmiratimit të buxhetit për vitin 2026, çka do të ndikonte në pagesat e administratës publike, pensionet dhe asistencat sociale.

 

Kabineti i propozuar nga Kurti

Qeveria e propozuar përfshinte Glauk Konjufcën si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër të Jashtëm, Donika Gërvallën si ministre të Drejtësisë, Fikrim Damkën për çështjet e pakicave, Hekuran Muratin në Financë, Arben Vitinë në Shëndetësi dhe Dimal Bashën në Infrastrukturë. Kabineti kishte gjithsej 19 ministra, përfshirë Artane Rizvanollin në Energji dhe Mimoza Kusarin në Tregti.

 

Çfarë ndodh më pas?

Pas dështimit për të marrë votëbesimin, Kosova përballet me rrezikun e zgjedhjeve të reja, nëse brenda afateve kushtetuese nuk arrihet formimi i një shumice qeverisëse. Ndërkohë, vendi mbetet pa buxhet të miratuar për vitin 2026 dhe me institucione në status të përkohshëm.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat